Në ambientet e Komitetit Shqiptar të Birësimeve, Ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja, ka prezantuar kryetaren e re të këtij komiteti, znj. Alma Laci Sulstarova, e cila zëvendëson znj. Denada Seferi.
Ministri në fjalën e tij ka bërë të qartë synimet e tij dhe stafit mbështetës për t’i dhënë këtij institucioni më shumë peshë, më shumë kujdes, e më shumë prioritet.
“Ne përgatisim letra dhe ndjekim proçedura, por pas këtyre burokracive të domosdoshme, ka jetë njerëzore, ka jetë e ndjenja fëmijësh, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, humanë, të duruar dhe dashamirës në punën tonë”, tha mes të tjerash z.Manja.
Më pas ministri ka vlerësuar punën dhe karrierën e znj. Sulstarova duke shprehur bindjen se nën drejtimin e saj, institucioni do të njohë ngritjen edhe më lartë të standarteve dhe punës së tij.
Nga ana e saj, znj. Sulstarova ka falënderuar ministrin për besimin e drejtimit të një institucioni kaq human dhe ka garantuar përpjekjet e saj maksimale që Komiteti Shqiptar i Birësimeve t’i kryejë sa më mirë funksionet e tij.