270279145_471251191022353_817443526139651976_n

Histori birësimi Çifti italian, një grusht dhe’ shqiptar për të mbjellë një “lule kujtesë”

Histori birësimi
Çifti italian, një grusht dhe’ shqiptar për të mbjellë një “lule kujtesë”
 
Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja me përkrahjen edhe të kryetares së Komitetit Shqiptar të Birësimeve znj. Alma Sulstarova, ka marrë një iniciativë mbreslënëse: gjetjen dhe rrëfimin e disa prej historive më pikante të këtij komiteti ndër vite. Të treguara nga dëshmitarë, nga punonjës, apo edhe nga vetë protagonistë. Birësimi i një fëmije mbart gjithmonë në vetvete sa mirësi e dashuri, aq edhe kujdes e vëmendje. Ashtu si sjell tek kushdo në dijeni ndjenjën e familjes, dashurisë e përkushtimit. Pra, duke ruajtur gjithsesi gjithë anonimatin e detyrueshëm nga ligji dhe etika, pse të mos i rrëfejmë disa ndodhi, me dëshirën e mirë se do të rritet interesi për të pranuar në familje një krijesë që do përkujdesje, përkushtim e mbi të gjitha dashuri, shumë dashuri. Tek e fundit birësimi nuk është vetëm një nevojë plotësuese pse për arsye të ndryshme një çift nuk ka fëmijë, por mbi të gjitha është empati, dashuri, përgjegjësi e përkushtim. Është familje.
 
 
Ishte viti 1998. Një çift italian nga Ankona, M dhe D, të moshës 40-45, pa fëmijë, nisin procedurat për birësimin e një djali shqiptar, atëkohë vetëm pesë vjeç. Pas gjithë procedurave të kryera nga shteti shqiptar, dokumentacionit të plotësuar, gjithë filtrave dhe pyetësorëve të përfunduar në mënyrën më të mirë, gjithçka përfundon dhe çifti me një lumturi të papërshkrueshme me fjalë, nisen për në vendin e tyre. Personi që i shoqëronte me makinë nga Tirana në Rinas, tregon se çifti diku pranë mbërritjes kanë kërkuar të ndalin makinën. I çuditur, sepse rruga po ecte normalisht, ai nuk ka bërë pyetje, por ka hapur krahun duke parë me kuriozitet se çfarë po ndodhte. M, ka zbritur nga makina dhe ka nisur të mbushë një enë të nxjerrë nga një çantë që e mbante me vete me dhe‘. Shoqëruesi TH.C, nuk ka mundur të mbajë më kuriozitetin për këtë veprim dhe ka pyetur D. që kishte mbetur në makinë për këtë veprim të bashkëshortit të saj. Ajo me lot në sy iu përgjigj: “Kemi vendosur të marrim me vete pak dhe’ nga toka e Shqipërisë, sepse ky vend na dha mundësinë të kishim një fëmijë. Në këtë dhe’ do të mbjellim një lule dhe do të jetë për ne kujtimi më i bukur gjatë gjithë jetës sonë”.
 
 
 
 
Kur vendosëm të publikonim në faqen tonë këtë histori, u interesuam për këtë çift dhe për “premtimin” e tyre. Rasti ishte ndjekur për disa vite nga specialistët shqiptarë, sipas gjithë protokolleve dhe gjithçka kishte shkuar përsosmërisht mirë. Madje personi prezent edhe në përcjelljen e çiftit Italian, e dinte me siguri se lulja ishte mbjellë. Por më vonë, me sa duket kontaktet kishin humbur dhe pavarësisht dashamirësisë dhe përpjekjeve nuk u bë e mundur gjetja e një fotoje të kësaj luleje, mbjellë në Itali mbi dheun shqiptar në kujtim të ngjarjes për atë familje. Ai fëmijë sot duhet të jetë një djalosh 28-29 vjeçar. Urojmë të ketë jetë të gjatë e të bukur për vete dhe prindërit e tij.
 
 

Shpërndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on print
Share on email

ANKOHU KETU